4. Burime materiale konsiderohen të gjitha marrëdheniet shoqëroro-ekonomike
dhe marrëdhëniet e tjera shoqërore që e karakterizojnë një shoqëri.
Burime formale të së drejtës penale janë normat juridike veç e veç dhe tërësia
e tyre. Burim formal kryesor është kodi penal. Burime të tjera janë kushtetuta,
konventat ndërkombëtare etj.
5. Të gjitha kushtetutat përmbajnë parime drejtuese edhe për të drejtën
penale.
Në anën tjetër të gjitha vlerat dhe të mirat e garantuara me kushtetutë,
mbrohen me të drejtën penale.
6. Kushtetuta me disa dispozita të saj paraqitet edhe si burim i drejtpërdrejtë
i së drejtës penale. Kështu, kushtetuta parasheh “parimin e legalitetit” me
rastin përcaktimit të veprave penale dhe sanksioneve penale, garanton
respektimin e personalitetit të njeriut dhe dinjitetit njerëzor në procedurën
penale dhe në çdo procedurë tjetër.
Poashtu, në rast heqjeje ose kufizimit të lirisë si dhe gjatë kohës së
ekzekutimit të dënimit, qytetarëve u garantohet liria e lëvizjes dhe e
vendbanimit; paprekshmëria e banesës, letrave dhe e dërgesave të tjera të
komunikimit; u garantohet paprekshmëria e integritetit të personalitetit të
njeriut, e jetës personale dhe familjare etj.
7. Shumë pranë nivelit të burimeve kushtetuese qëndrojnë konventat
dhe aktet e ndryshme juridike ndërkombëtare. Ato përmbajnë
parime të karakterit penalo-procedural dhe për këtë shpeshherë
përfshihen në kushtetuta ose tekste të përbashkëta me të.
8. Për të drejtën tonë penale kanë rëndësi ato konventa ndërkombëtare me
të cilat vendi ynë është i obliguar që të mirave apo vlerave të caktuara
juridike t’u sigurojë mbrojtje juridike-penale.
p.sh., Të tilla janë:
“Konventa e Gjenevës mbi humanizimin e luftës” (1949);
“ Konventa për luftimin dhe parandalimin e krimit të gjenocidit” (1948);
“ Konventa mbi eliminimin e të gjitha diskriminimeve raciale” (1966) etj.
Veçmas veprat penale kundër sigurisë së komunikacionit ajror, që janë
të parapara në legjislacionin penal, kanë mbështetje apo rrjedhin nga
Konventa mbi luftimin e rrëmbimit të kundërligjshëm të fluturakes (Hagë
1970) dhe “Konventa mbi luftimin e akteve kundërligjore të drejtuara
kundër sigurisë së fluturakeve civile” (Montreal 1971) etj.
9. Çdo shtet është i obliguar t’i ndëshkojë kryerësit e krimeve të luftës, krimeve kundër
njerëzimit, gjenocidit etj., edhe në rastet kur me legjislacionin e tyre penal nuk janë paraparë
këto krime, përkatësisht, edhe në rastet kur shteti i caktuar nuk i ka ratifikuar konventat
përkatëse të cilat i inkriminojnë këto vepra.
10. Si burim kryesor i së drejtave penale të shteteve bashkëkohore është kodi penal apo ligji
penal.
Me ligj penal nënkuptojmë çdo dispozitë ligjore me të cilën rregullohen çështje nga fusha
e të drejtës penale. Këto janë dispozita me të cilat parashihen veprat penale dhe
sanksionet penale ndaj kryesve të tyre.
Me nocionin kod penal nënkuptojmë ligjin e rëndësishëm në të cilin në mënyrë të
tërësishme dhe të sistemuar përmblidhen dispozitat penalo-juridike.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 janar 2013.
Me shprehjen legjislacion penal, nënkuptojmë të gjitha ligjet penale, pra edhe kodin
penal, si dhe tërë sistemin e ligjeve dhe dispozitave të tjera penale, të cilat janë në fuqi dhe
aplikohen në një vend të caktuar.
11. Ligjet e tjera, normat nënligjore dhe aktet nënligjore, konsiderohen si burime
plotësuese apo sekondare të së drejtës penale.
Të tilla konsiderohen ato dispozita ligjore të cilat, sipas rregullit, rregullojnë
marrëdhënie të tjera shoqërore, por megjithatë kanë rëndësi edhe në të
drejtën penale.P.sh.:
“Kodi i Procedurës Penale”;
“Ligji për ekzekutimin e sanskioneve penale”;
“Ligji mbi organizimin e gjykatave”;
“Ligji mbi prokurorinë”; etj.
12. Përkundër faktit se nuk mund të mohohet ndikimi i së drejtës zakonore në
zhvillimin dhe formimin e të drejtës penale, e drejta zakonore nuk mund të
shfaqet si burim i drejtpërdrejtë i së drejtës penale.
Parimi i legalitetit, e përjashton mundësinë që e drejta zakonore të jetë burim
i së drejtës penale.
13. Në Angli dhe në SHBA, praktika gjyqësore ose precedenti gjyqësor paraqitet si burim i
rëndësishëm i së drejtës penale.
Në të drejtën tonë penale dhe në të drejtat penale të shteteve të tjera të Evropës, praktika
gjyqësore nuk është burim i drejtpërdrejtë i së drejtës penale, sepse do të ishte në
kundërshtim me parimin nullum crimen nullum poena sine lege.
Praktika gjyqësore nuk mund të parashoh vepra penale të reja apo t’i abrogojë ato
ekzistuese.
14. Shkenca e së drejtës penale nuk është burim i drejtpërdrejtë i së drejtës penale.
Mirëpo, shkenca e së drejtës penale ka ndikim të konsiderueshëm, pasi me
ndihmën e saj është bërë ndërtimi i një varg nocionesh dhe institcionesh të së
drejtës penale.